Ambasada e SHBA-ve në Bosnjë Hercegovinë, ka paralajmëruar udhëheqësin serb të republikës Srpska, Milorad Dodik se nuk do të qëndrojnë duarkryq nëse ky i fundit tenton të nxisë konflikte ndëretnike në vend.
“Sipas Kushtetutës së Bosnje dhe Hercegovinës, as entiteti dhe asnjë njësi tjetër administrative më e ulët nuk ka të drejtë të shkëputet dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të qëndrojnë duarkryq nëse Milorad Dodik punon për të nxitur një konflikt të ri në Bosnje dhe Hercegovinë. Siç kanë bërë për tridhjetë vjet, Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multi-etnik të Bosnjë dhe Hercegovinës”, citohet të jetë thënë në deklaratë.
Sa i takon kërcënimeve të Dodik për ndërprerjen e bashkëpunimit me aleancën e NATO-s, SHBA-të i kanë kujtuar atij se Ligji për Mbrojtjen e vitit 2005 i detyron autoritetet shtetërore të kryejnë aktivitete të nevojshme për anëtarësimin e Bosnjës dhe Hercegovinës në aleancën e NATO-s.
Milorad Dodik njoftoi të martën se do të ndalojë të gjithë zyrtarët serbë të Bosnjës nga çdo kontakt me përfaqësuesit e NATO-s, me të cilët ai nuk dëshiron asnjë bashkëpunim.