Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka diskutuar ditën e sotme një denoncim se një zyrë elektorale e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ është ngritur pranë KZAZ-së 37 në Tiranë, e cila është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi u shpreh se fillimisht do t’iu komunikohej përfaqësuesit e koalicionit për ta zgjidhur këtë me mirëkuptim. Nga ana tjetër gjatë mbledhjes, përfaqësuesi i koalicionit Altin Kaziaj në mbledhje kërkoi që i njejti standart të aplikohej dhe me PS-në, pasi kanë vendosur materiale propagandistike në të gjithë vendin.
Kaziaj: Mund të shkarkojmë të gjithë vëzhguesit. Nga data 15 si qytetar mund të konstatojmë në rrugët e qytetit të Tiranës dhe në të gjitha rrugët e Shqipërisë billborde të mëdhenj. Vetëm në rrugë dytësore Rinas Tiranë janë mbi 30, me gjuhë fyese, seksiste, bullizuese. Jua kanë raportuar këto juve? E njëjta situatë është në çdo rrugë. Keni këtë pamjen e ‘shpëtimtarit të vendit’ me ngjyra, ndërsa këta të opozitës i ka bërë pa ngjyrë se vetëm gjuhë denigruese di. Për ‘barazi të armëve’ duhet të shikoni se çfarë bëjnë këta të mazhorancës pastaj të merreni me zyrat e ‘Bashkë Fitojmë’. Silluni në mënyrë ligjore.
Celibashi: Ne kemi vendosur shqyrtimin e denoncimeve të paraqitura nga ana juaj por edhe nga ana e disa organizatave të shoqërisë civile për mënyrën se si PS por edhe subjekte të tjera po e bëjnë këtë fushatë. Por rasti konkret që lidhet me ju është një rast i sjellë më herët. Shqyrtimet e tjera janë në radhë nesër dhe në vazhdim. Nuk ka një qasje të diferencuar për mënyrën se si silleni në fushatë elektorale. Çdo denoncim ka të gjithë vëmendjen tonë.