Gazetarët u shpallën fajtorë për “shpërdorim të të drejtave dhe lirive demokratike që cënojnë interesat e shtetit”.
Në Vietnam janë dënuar pesë gazetarë me burgim si dhe u është ndaluar që të punojnë për tre vjet, pasi akuzohen për përhapjen e përmbajtjes antishtetërore në Facebook.
Gjykatë vietnameze i ka shpallur gazetarët fajtorë për “abuzim të të drejtave dhe lirive demokratike duke cenuar interesat e shtetit” , në një gjyq dy ditor, tha Agjencia shtetërore e lajmeve të Vietnamit (VNA).
Gazetarët krijuan një gazetë të quajtur Bao Sach (Gazeta e pastër) në Facebook, e cila, sipas aktakuzës përmbante përmbajtje që shtrembëronte informacionin dhe shpifte për qeverinë.
“Veprat e kryera nga të pandehurit gjithashtu shkaktuan konfuzion, dyshim në mesin e njerëzve,” tha ai.
Truong Chau Huu Danh, një ish-raporter dhe udhëheqës i grupit, u dënua me katër vjet e gjysmë burg, ndërsa të pandehurit e tjerë u dënuan me burgim nga dy deri në tre vjet, tha VNA.
Të pestë do të ndalohen nga gazetaria për tre vjet pasi të dalin nga burgu, raportoi VNA. Zëvendësdrejtori i Azisë për Human Rights Watch me bazë në Nju Jork, Phil Robertson tha se Vietnami nuk duhet t’i trajtojë mediat si “armiq të shtetit”.
“Hedhja e më shumë gazetarëve qytetarë në burg nuk do t’i ndalojë njerëzit të ankohen ose të kërkojnë reforma në Vietnam,” tha Robertson. “Qeveria duhet të pranojë se gazetarët qytetarë dhe mediat e pavarura janë aleatë të qeverisjes së mirë.”
/Burimi: Aljazeera/ Përshtati: Priza.al/