Shqiptarët më pesimistë se kurrë, ja si e shohin ata situatën e tyre financiare në 12 muajt e ardhshëm

Pesimizmi i ka kapluar shqiptarët më tepër se kurrë në lidhje me situatën e tyre të pritshme familjare gjatë 12 muajve në vijim, madje shihen më negativë edhe se në prill 2020, kur ishte nën masat e karantinimit, si pasojë e  pandemisë së Covid-19.

Rritja e çmimeve brenda një periudhe shumë të shkurtër, dhe kur të ardhurat e tyre nuk po rriten ka bërë që për pasojë më shumë familjarë të parashikojnë vështirësi me financat e tyre në të ardhmen.

Banka e Shqipërisë ka kryer një anketim në lidhje me besimin konsumator për muajin mars 2022, dhe nga rezultatet e publikuara shihet se  shumica e përgjigjeve ishte negative prej -12.99, niveli më negativ i regjistruar ndonjëherë, që nga maji i vitit 2016, kur Banka e Shqipërisë publikon gjetjet e sondazhit.

Sakaq, shihet edhe si niveli më negativ se maji 2020, (prej -8.2), kur familjet po ndienin pasojat që dha në ekonomi Covid-19.

Pyetjet e të anketuarve kanë qenë:

Si prisni të ndryshojë situata financiare në familjen tuaj gjatë 12 muajve të ardhshëm?

  1. Do të përmirësohet shumë
  2. Do të përmirësohet
  3. Nuk do të ndryshojë
  4. Do të keqësohet
  5. Do të keqësohet shumë
  6. Nuk e di

Balanca negative do të thotë që rreth 13% më shumë të anketuar presin që situata financiare në familjen e tyre të përkeqësohet, sesa ata që presin të përmirësohet.

Të dhënat e anketimit tregojnë se deri në mars 2020, pritshmërinë e familjeve për të ardhmen e tyre përgjithësisht ishin pozitive.

Pas pandemisë, balanca e përgjigjeve u bë negative për herë të parë, duke kulmuar në maj 2020. Me hapjen e ekonomisë, treguesi kaloi gradualisht në pozitiv, duke arritur nivelin më të lartë në shtator 2021.

Por, rritja e çmimeve, ka bërë që familjet  të ishin pesimistë, sepse përkeqësimi ishte shumë i ndjeshëm në mars, ku çdo produkt u shtrenjtua.

Jo vetëm pritshmëritë por po shihet se konsumatorët rezultojnë se shohin përkeqësim të situatës familjare edhe gjatë muajve të fundit. Balanca e përgjigjeve në mars 2022 për pyetjen “Si ka ndryshuar situata financiare e familjes suaj gjatë 12 muajve të fundit?” është sërish negative (-16.08), ndër më të ulëtat historike.

Që prej  2021, gjithnjë e më shumë familje deklarojnë se situata financiare është përkeqësuar në raport me ata që mendojnë se situata është përmirësuar.

Përkeqësimi i vlerësimeve dhe pritshmërinë të familjarëve për situatën e tyre financiare lidhet më së shumti me rritjen e çmimeve. Që prej muajit tetor, konsumatorët po e ndjejnë barrën e shtuar në buxhetet e tyre nga rritja e çmimeve.

Indeksi i besimit konsumator, që matet nga Banka e Shqipërisë, u drejtua individëve ndër të tjera edhe pyetjen: “Si mendoni se kanë ndryshuar çmimet gjatë 12 muajve të fundit?”: janë rritur shumë, janë rritur në mënyrë të moderuar, janë rritur pak, pothuajse të pandryshuara, janë ulur?.

Duke filluar që nga tetori, balanca e përgjigjeve tregon se konsumatorët gjithnjë e më shumë po e ndjejnë dukshëm rritjen e çmimeve katër muajt e fundit (shiko grafikun: Çmimet gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit, maj 2016-mars 2022).

Balanca e përgjigjeve në mars ishte 37.5 (e rregulluar sezonalisht), që do të thotë që 37.5% më shumë konsumatorë mendojnë që çmimet janë rritur se ata që mendojnë se janë ulur.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *